Rooney: Xhaka, ndoshta blerja më e mirë e sezonit në Ligën Premier
Ish-ylli i Manchester United dhe legjenda e futbollit anglez, Wayne Rooney, ka lavdëruar Granit Xhakën për paraqitjet e tij mbresëlënëse me Sunderlandin, duke e cilësuar si “ndoshta transferimin më të mirë të sezonit” në Ligën Premier.
Sunderland, që është rikthyer këtë sezon në elitën e futbollit anglez, po kalon një formë të mirë dhe aktualisht renditet në vendin e katërt me 19 pikë pas 11 ndeshjeve. Një rol të rëndësishëm në këtë sukses ka pasur kapiteni Xhaka, i cili ka luajtur çdo minutë të sezonit, me një gol dhe tre asistime, duke sjellë stabilitet dhe lidership në mesfushë.
“Kur u kthye në Premier League, kisha dyshime nëse do ia dilte, sidomos me një ekip të sapo-promovuar. Por ai ka qenë i jashtëzakonshëm – ndoshta transferimi i sezonit,” deklaroi Rooney në emisionin e tij The Wayne Rooney Show.
Rooney theksoi gjithashtu karakterin e fortë të Xhakës, duke kujtuar rikthimin e tij pas përplasjes me tifozët e Arsenalit dhe suksesin e madh me Bayer Leverkusenin në Gjermani.
“Sunderland ka një skuadër shumë të re, dhe Xhaka po luan rolin e një figure prindërore. Ai është shtylla e ekipit dhe një shembull për lojtarët e rinj,” shtoi Rooney.











