#Kosova

Rënie e përfituesve të ndihmës sociale në Kosovë – Rreth 800 familje në Prishtinë marrin asistencë

Agjencia e Statistikave të Kosovës ka bërë të ditur se numri i përfituesve nga skema e ndihmës sociale ka rënë me 12.9% krahasuar me vitin e kaluar. Nga mbi 19 mijë përfitues sa ishin në qershor të vitit 2024, këtë vit figurojnë afro 17 mijë persona.

Në Komunën e Prishtinës, janë rreth 800 familje që aktualisht përfitojnë nga kjo skemë, ndërkohë që para katër vitesh ishin rreth 1,500.

Drejtoresha e Mirëqenies Sociale në kryeqytet, Adelina Sahiti, tha se rënia ka ardhur si rezultat i migrimit dhe për shkak të shtrëngimit të kritereve për përfitim. Ajo thekson se po bëhen verifikime të vazhdueshme në terren dhe se një pjesë e familjeve kanë mundësi të reja punësimi, ndonëse përballen me rritje të çmimeve.

Ndërkohë, gjendja e rëndë ekonomike, sipas sociologut Ragip Fetahu, ka ndikime të theksuara edhe në mirëqenien emocionale të qytetarëve. Ai vlerëson se mungesa e politikave efektive për luftimin e varfërisë mbetet një sfidë për vendin.

Aktualisht, shkalla e papunësisë në Kosovë është 10.9%, ndërsa shkalla zyrtare e varfërisë nuk është përditësuar që nga viti 2017.