#Lajme

Refuzohet padia e KOSTT-it ndaj ZRRE-së, Supremja konfirmon vendimin e Komerciales

Gjykata Supreme e Republikës së Kosovës ka refuzuar si të pabazuar padinë e KOSTT Sh.A. kundër Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), duke lënë në fuqi aktgjykimin e Gjykatës Komerciale të Kosovës.

Vendimi u mor në seancën e kolegjit më 26 janar 2026, ku Supremja hodhi poshtë kërkesën e KOSTT-it për rishqyrtim të jashtëzakonshëm të aktgjykimit të Dhomës së shkallës së dytë të Gjykatës Komerciale, të datës 8 nëntor 2024.

Sipas Gjykatës Supreme, vendimet e gjykatave të instancave më të ulëta janë marrë në përputhje me ligjin, ndërsa arsyetimet e Gjykatës Komerciale janë cilësuar si të plota, të qarta dhe të mbështetura në analizë të drejtë të fakteve dhe legjislacionit përkatës.

Supremja ka konstatuar se ZRRE-ja ka vepruar brenda kompetencave të saj ligjore, duke zhvilluar proces të rregullt monitorimi dhe hetimi ndaj KOSTT-it, në përputhje me Ligjin për Rregullatorin e Energjisë, Ligjin për Energjinë Elektrike dhe aktet nënligjore përkatëse.

Po ashtu, gjykata ka vlerësuar se gjoba e shqiptuar nga ZRRE-ja ndaj KOSTT-it, në vlerë prej 439,405 eurosh për shkelje lidhur me blerjet e energjisë elektrike, pagesat dhe nominimet, është vendosur në përputhje me dispozitat ligjore procedurale dhe materiale.