#Ballina #Lajme

Refuzohet kërkesa e Haxhi Shalës për lirim me kusht nga Gjykata Speciale në Hagë

Dhomat e Specializuara të Kosovës (DHSK) në Hagë kanë refuzuar kërkesën e ish-deputetit Haxhi Shala për lirim me kusht. Vendimi është marrë më 14 korrik 2025 nga kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova.

Shala kishte kërkuar lirimin e parakohshëm duke u thirrur në nenin 90 të Kodit Penal të Kosovës, i cili, sipas tij, lejon lirimin me kusht pas përmbushjes së gjysmës së dënimit. Ai argumentoi se kishte përmbushur këtë kusht më 11 qershor 2025 dhe se dy të tretat e dënimit do t’i përmbushë më 11 dhjetor 2025.

Megjithatë, kërkesa e tij u konsiderua e papranueshme për shqyrtim, pasi sipas kryetares Trendafilova, kuadri ligjor i Dhomave të Specializuara nuk njeh aplikimin e neneve të Kodit Penal të Kosovës, përveç atyre të përcaktuara shprehimisht në ligjin për DHSK-në. Sipas vendimit, vetëm përmbushja e dy të tretave të dënimit mund të merret në konsideratë për ulje apo modifikim të tij.

Trendafilova theksoi se funksionimi i DHSK-së rregullohet ekskluzivisht nga neni 162 i Kushtetutës dhe kuadri juridik i posaçëm i kësaj gjykate, i cili nuk përfshin nenin 90 të KPK-së.

Haxhi Shala u dënua me tri vite burg më 4 shkurt 2025, pasi pranoi fajësinë për veprat penale kundër administrimit të drejtësisë dhe frikësimit të dëshmitarëve. Ai u gjykua bashkë me Sabit Januzin dhe Ismet Bahtijarin, të cilët gjithashtu pranuan fajësinë dhe u dënuan me nga dy vite burg, por më vonë u liruan me kusht.

Shala kishte kërkuar që procesi i tij të ndahej nga i bashkëakuzuarve, por kjo kërkesë u refuzua. Ai u transferua në Hagë në dhjetor të vitit 2023, ndërsa ndalimi i tij lidhet me përpjekje për të ndikuar në një dëshmitar përmes kërcënimeve dhe dhuratave, në një çështje gjyqësore të ndërlidhur me ish-pjesëtarë të UÇK-së.

Vendimi për refuzimin e kërkesës së Shalës nënvizon se kuadri ligjor i DHSK-së nuk lejon interpretimin ose plotësimin e boshllëqeve me ligje të tjera të Kosovës, përfshirë edhe dispozitat për lirimin me kusht.