#Lajme

Redžepi: Kurti po bisedon me Limajn për krijimin e një qeverie, jo për postin e kryeparlamentarit

Zëvendëskryeministrja në detyrë, Emilija Redžepi, ka reaguar pas raportimeve se Fatmir Limaj mund të jetë kandidat për kryetar të Kuvendit, pas një takimi që ai pati me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.

Redžepi tha se nuk ka asnjë informacion për një propozim të tillë dhe theksoi se kandidatura e Vetëvendosjes për kryetare të Kuvendit ka qenë që nga fillimi Albulena Haxhiu.

Sipas saj, bisedimet mes Kurtit dhe Limajt nuk lidhen me pozitën e kryeparlamentarit, por me mundësinë e krijimit të një qeverie të re.

“VV-ja është partia fituese dhe ka të drejtë të propozojë kandidatin e vet për kryetare të Kuvendit, dhe që nga fillimi kjo ka qenë Albulena Haxhiu. Nuk kam asnjë informacion tjetër për ndonjë deputet tjetër. Për aq sa di unë, kryeministri Kurti po bisedon me deputetin Limaj për krijimin e një qeverie, jo për pozitën e kryetarit të Kuvendit”, ka deklaruar Redžepi.

Ajo shtoi se zgjidhja e vetme për të dalë nga kriza aktuale politike janë zgjedhjet e reja.

“E vetmja zgjidhje për të dalë nga kjo krizë janë zgjedhjet e reja. Le të vendosin qytetarët, jo individët. Ne të gjithë jemi të zëvendësueshëm, askush nuk është i përhershëm”, u shpreh ajo, transmeton FrontOnline.