Real Madrid prezanton Álvaro Carrerasin, i jep fanellën me numrin 18
Real Madrid ka prezantuar zyrtarisht përforcimin më të ri në mbrojtje, Álvaro Carreras, duke i dhënë atij fanellën me numrin 18 në ceremoninë e mbajtur të martën në stadiumin “Santiago Bernabéu”.
Carreras, i cili iu bashkua klubit nga Benfica fundjavën e kaluar për një shumë prej 50 milionë eurosh, ishte një objektiv i hershëm i klubit madrilen, që kishte synuar ta transferonte para Kupës së Botës për Klube, por transferimi u finalizua pas saj.
Mbrojtësi i majtë 22-vjeçar, i cili u formua në akademinë e Real Madridit para se të largohej për Manchester United në moshën 17-vjeçare, është pjesë e ristrukturimit të repartit defansiv që do të udhëhiqet nga trajneri i ri, Xabi Alonso. Ai i bashkohet emrave si Trent Alexander-Arnold dhe Dean Huijsen, të cilët janë transferuar më herët gjatë merkatos.
Prezantimi i Carreras nisi me kontrollin mjekësor në qendrën stërvitore të Valdebebasit, ndërsa më pas ai u takua me presidentin e klubit, Florentino Pérez, në dhomën e trofeve të Bernabéut. Më pas, pozoi me fanellën e re me numrin 18 dhe nënshkroi zyrtarisht kontratën me klubin.













