Reagon Hykmete Bajrami: Na falni për dëshpërimin
Kandidatja për deputete nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Hykmete Bajrami, ka reaguar pas publikimit të rezultateve zgjedhore, duke iu drejtuar votuesve dhe strukturave të partisë me një mesazh kritik dhe reflektues.
Në një postim në rrjetet sociale, Bajrami ka ironizuar fitoren e Lëvizjes Vetëvendosje, duke vlerësuar se zgjedhjet janë fituar në një periudhë që, sipas saj, është shoqëruar me mungesë suksesi qeverisës, korrupsion të lartë, zyrtarë nën aktakuza, masa ndëshkuese nga Bashkimi Evropian, përkeqësim të raporteve me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nepotizëm institucional, shkelje të Kushtetutës, inflacion të lartë dhe probleme serioze në sektorin e energjisë.
Ajo ka theksuar se për LDK-në kjo është kohë reflektimi dhe marrjeje përgjegjësish, ndërsa u ka kërkuar falje votuesve dhe strukturave të partisë për rezultatin, duke i falënderuar njëkohësisht për besimin dhe përkushtimin. Sipas Bajramit, janë pikërisht mbështetësit ata që e mbajnë LDK-në të gjallë dhe të fortë.











