Rasti në Drenas ricilësohet nga “vrasje në tentativë” në “lëndim trupor”, i dyshuari dorëzon armën dhe ndalohet 48 orë
Rasti i ndodhur më 13 tetor 2025 në rrugën “Antigona Fazliu” në Drenas, i cili fillimisht ishte raportuar si “vrasje në tentativë”, ka marrë trajtim të ri pas veprimeve hetimore. B. K. kishte mbetur i lënduar gjatë incidentit, ndërsa si i dyshuar ishte identifikuar F. R.
Pasi njësitë policore kërkuan të dyshuarin në banesën e tij dhe i lanë dy ftesa për paraqitje, ai nuk u gjet në adresë. Më 11 dhjetor 2025, F. R. është paraqitur vullnetarisht në NJHP – Prishtinë dhe ka dorëzuar një armë zjarri me tre fishekë, e cila dyshohet se është përdorur në incident.
Pas konsultimit me prokurorin kujdestar dhe shqyrtimit të video-incizimeve nga vendi i ngjarjes, rasti është ricilësuar nga “vrasje në tentativë” në “lëndim trupor” dhe “posedim të paautorizuar të armës”.
I dyshuari është intervistuar në prani të avokatit mbrojtës dhe, me vendim të prokurorit, është ndaluar për 48 orë. Hetimet po vazhdojnë.











