Rasti i krerëve të UÇK-së: Sot dorëzohen dosjet përfundimtare në Speciale
Sot, më 19 janar, në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë dorëzohen dosjet përfundimtare në procesin gjyqësor ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Dosjet përkatëse do t’i paraqesin Prokuroria, përfaqësuesi i viktimave, si dhe ekipet mbrojtëse të Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.
Pas kësaj faze procedurale, pritet mbajtja e fjalëve përfundimtare nga 9 deri më 18 shkurt, ndërsa me përmbylljen e tyre procesi gjyqësor do të konsiderohet zyrtarisht i mbyllur. Ish-krerët e UÇK-së ndodhen në paraburgim që nga nëntori i vitit 2020 dhe deri në këtë fazë nuk kanë pasur mundësi lirimi.
Pas përfundimit të fjalëve përfundimtare, trupi gjykues do të ketë afat prej tre muajsh për shpalljen e aktgjykimit të shkallës së parë, me mundësi shtyrjeje edhe për dy muaj të tjerë. Procesi gjyqësor ka nisur pas arrestimit të tyre në nëntor 2020, pas konfirmimit të aktakuzës, ku Prokuroria pretendon përgjegjësi individuale për rrëmbime, keqtrajtime dhe vrasje të civilëve dhe personave që nuk merrnin pjesë në luftime.
Gjatë gjykimit, Prokuroria paraqiti mijëra faqe prova dhe thirri 125 dëshmitarë, ndërsa ekipet mbrojtëse, në periudhën shtator–nëntor 2025, thirrën shtatë dëshmitarë. Në proces marrin pjesë 155 viktima. Gjykata ka rishikuar vazhdimisht masën e paraburgimit, duke vlerësuar se ekzistojnë rreziqe për ndikim ndaj dëshmitarëve, çka ka qenë arsye për vazhdimin e kësaj mase.










