Rasti “Banjska” – Tre të akuzuarit para gjykatës, pritet dëshmia e një dëshmitari të mbrojtur
Tre të akuzuarit për përfshirje në sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit janë paraqitur sot në Pallatin e Drejtësisë, ku po vazhdon seanca gjyqësore ndaj tyre.
Dushan Maksimoviq, Blagoje Spasojeviq dhe Vladimir Toliq, të cilët ndodhen në masë paraburgimi, u sollën në gjykatë nën masa të rrepta sigurie. Në këtë seancë, pritet të dëshmojë një dëshmitar i mbrojtur, ndërsa më herët kanë dëshmuar edhe disa zyrtarë policorë që morën pjesë në kundërsulmin në Banjskë.
Prokuroria Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj gjithsej 45 personave për këtë rast, të cilët ngarkohen me vepra terroriste dhe veprime kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.
Sipas aktakuzës, grupi kishte për qëllim, përmes përdorimit të armatimit të rëndë dhe dhunës, shkëputjen e pjesës veriore të Kosovës – veçanërisht komunave me shumicë serbe – për t’ia bashkuar ato Republikës së Serbisë.
Lider i këtij grupi është identifikuar Millan Radoiçiq, për të cilin thuhet se ka luajtur rol kyç në organizimin dhe koordinimin e sulmit. Ai figuron në listën e zezë të SHBA-së dhe Mbretërisë së Bashkuar për lidhje me krimin e organizuar dhe korrupsionin ndërkombëtar.












