Rasti Agon Zejnullahu – Sindikata e Policisë i kërkon Avokatit të Popullit të monitorojë trajtimin e policëve të arrestuar
Sindikata e Policisë së Kosovës (SPK) i është drejtuar zyrtarisht Avokatit të Popullit, Naim Qelaj, me kërkesë për përfshirje aktive në monitorimin dhe vlerësimin e të drejtave të pesë zyrtarëve policorë, të cilët ndodhen në mbajtje lidhur me rastin tragjik në Lipjan, ku një i ri, Agon Zejnullahu, humbi jetën.
Në një komunikatë për media, SPK ka theksuar se ndalimi i zyrtarëve është masë e panevojshme, duke konsideruar se kanë ekzistuar alternativa më të arsyeshme dhe më pak kufizuese.
“Me të ndodhur rasti, SPK ka qenë aktive dhe e pranishme pranë kolegëve të ndaluar dhe familjeve të tyre. Kryetari i Sindikatës, bashkë me bashkëpunëtorët, ka vizituar familjet, duke shprehur përkrahje të plotë institucionale, morale dhe juridike”, thuhet në njoftim.
SPK nënvizon se nuk ndërhyn në procesin hetimor dhe nuk paragjykon drejtësinë, por kërkon që zyrtarët policorë të trajtohen në mënyrë të drejtë, humane dhe në përputhje me standardet ligjore vendore dhe ndërkombëtare.











