#Lajme

Ramadani: Kosova në krizë të thellë, duhet një qeveri stabilizuese nga partitë e tjera

Eksperti i sigurisë, Burim Ramadani, ka vlerësuar se Kosova po përballet me një krizë të thellë institucionale dhe politike, duke theksuar nevojën për krijimin e një qeverie stabilizuese që do të udhëhiqej nga partitë e tjera.

Sipas Ramadanit, vendi gjendet në një situatë kritike për shkak të bllokadës shtetërore gjatë vitit 2025, si dhe keqqeverisjes dhe izolimit politik që, sipas tij, kanë zgjatur për katër vjet.

Ai ka paralajmëruar se Kosova ndodhet në prag të kolapsit buxhetor, çka mund ta çojë vendin drejt një krize të thellë ekonomike. “Nesër duhet dhënë përgjigje nëse Kosova shmang kolapsin buxhetor, që është në prag dhe që e çon vendin drejt humnerës”, ka deklaruar Ramadani.

Në fund, ai ka kërkuar që të jepen garanci për mirëmbajtjen e sigurisë publike dhe forcimin e sigurisë kombëtare, duke theksuar se një qeveri stabilizuese është “e domosdoshme” në këtë fazë për vendin.