#Lajme

Rama: Rezultati i LDK-së nën pritshmëri, nevojitet reflektim i brendshëm

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka vlerësuar se rezultati i Lidhjes Demokratike të Kosovës në zgjedhjet e parakohshme ka qenë më i dobët sesa pritshmëritë, duke theksuar se ky rezultat duhet të shërbejë si një moment reflektimi për vetë partinë dhe mënyrën e veprimit të saj si opozitë.

Rama ka deklaruar se rezultati zgjedhor ishte befasues dhe se opozita duhet të jetë më e qartë në qëndrimet e saj, më e zëshme dhe më aktive në shtyrjen e proceseve përpara. Ai njëkohësisht ka uruar fituesin e zgjedhjeve dhe ka shprehur pritjen për krijimin e një qeverie që do të jetë e orientuar drejt zhvillimit dhe jo bllokadës institucionale.

“Rezultati ka qenë dukshëm më i dobët se pritshmëritë dhe kjo duhet të shërbejë si reflektim për vetë partinë dhe për mënyrën se si opozita vepron. Duhet të dihet qartë për çfarë qëndron, të jetë më e zëshme dhe të shtyjë proceset përpara. Unë i uroj fituesit dhe shpresoj të kemi një qeveri pro zhvillimit, jo sabotuese e bllokuese”, ka deklaruar Rama.

I pyetur për zhvillimet e brendshme në LDK dhe për mundësinë e dorëheqjes së kryetarit aktual, Lumir Abdixhiku, Rama ka theksuar se nuk është anëtar i partisë dhe se nuk ndërhyn në vendimmarrjet e saj të brendshme. Ai ka nënvizuar se angazhimi i tij me LDK-në ka qenë në bazë profesionale dhe jo politike, duke vlerësuar guximin e partisë për të angazhuar një profil jashtë strukturave partiake për udhëheqjen e kryeqytetit.

Sipas Ramës, mendësia se vetëm anëtarësimi partiak garanton kontribut është e tejkaluar dhe shoqëria duhet të ecë përpara duke përfshirë profesionistë që nxisin zhvillimin dhe jo interesa të ngushta partiake.

Ndërkohë, Rama ka mohuar kategorikisht se ka ambicie për të marrë drejtimin e LDK-së në rast të dorëheqjes së Abdixhikut. Ai ka theksuar se fokusi i tij mbetet Prishtina dhe mandati katërvjeçar që ka marrë nga qytetarët.

“Unë jam i përkushtuar ndaj kryeqytetit dhe ndaj të gjithë qytetarëve, përtej partive politike. Ky është fokusi im dhe këtë mandat do ta çoj deri në fund”, ka deklaruar ai.

Sipas rezultateve të fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, me 99.26 për qind të votave të numëruara, Lëvizja Vetëvendosje prin me 49.30 për qind apo 429,979 vota, e ndjekur nga Partia Demokratike e Kosovës me 21.01 për qind, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës renditet e treta me 13.59 për qind. Në zgjedhjet e 9 shkurtit 2025, LDK kishte siguruar 18.27 për qind të votave.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *