#Lajme

Quni i përgjigjet Gërvallës: Besnikëria është thelbësore, nuk i besoj poste të rëndësishme atij që ka braktisur njësinë

Deputeti i LDK-së, Anton Quni, ka reaguar ndaj deklaratave të Donika Gërvallës, e cila tha se deputetët e LDK-së kishin mundur ta votonin atë për kryetare të Kuvendit për të zhbllokuar procesin e konstituimit.

Quni tha se për të besimi dhe besnikëria janë themeli i çdo marrëdhënieje, edhe në politikë.

“Kam një parim të palëkundur, si në jetë ashtu edhe në punë: nuk mund t’ia besoj një post të rëndësishëm një personi që ka ndryshuar anë dhe ka braktisur njësinë. Është njësoj sikur të avancosh në detyrë një ushtar që ka dezertuar një ditë më parë”, u shpreh ai.

Deputeti i LDK-së shtoi se beson vetëm tek ata që qëndrojnë besnikë edhe në kohë të vështira, sepse kjo është baza e punës së sinqertë në shërbim të qytetarëve.

Ndërkohë, Gërvalla, e propozuar nga LVV për kryeparlamentare, nuk arriti të marrë votat e nevojshme. Ajo sot kritikoi ashpër LDK-në dhe veçanërisht Qunin, duke thënë se deputetët e kësaj partie, bashkë me PDK-në e Listën Serbe, votuan kundër saj.

Seanca e radhës për konstituimin e Kuvendit do të mbahet më 24 gusht 2025.