Qeveria në detyrë: Intervistimi i Kurtit në zyrë nuk është standard i dyfishtë
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, është kritikuar nga partitë opozitare pas paraqitjes së tij në Gjykatën Themelore të Prishtinës në rastin ku Faton Klinaku, ish-udhëheqës i OVL-UÇK-së, akuzohet për kanosje ndaj tij.
Në reagim ndaj këtyre kritikave, zëdhënësi i Qeverisë, Përparim Kryeziu, tha se paraqitja e Kurtit nuk përbën standard të dyfishtë. Ai theksoi se Kurti gjithmonë ka shprehur gatishmëri për të bashkëpunuar me drejtësinë dhe ka pranuar të japë dëshminë e tij në zyrë, praktikë që sipas tij është aplikuar edhe më herët.
Sipas Kryeziut, më 10 qershor Kurti është intervistuar në zyrën e tij lidhur me rastin e kanosjes. Megjithatë, për çështjen e rezervave shtetërore, gjykata ka urdhëruar kryeministrin që të dëshmojë në prokurori. Ai është gjobitur me 250 euro për refuzimin e paraqitjes dhe ka paraqitur ankesë ndaj këtij vendimi.
Prokuroria dyshon se gjatë blerjes së produkteve për rezervat shtetërore, shteti është dëmtuar në vlerë prej rreth 600 mijë euro.











