Qeveria e Kosovës: Marrëdhëniet me SHBA-në mbeten të qëndrueshme, kritikat i mirëpresim dhe përpiqemi t’i korrigjojmë
Qeveria e Kosovës ka reaguar pas vendimit të Shteteve të Bashkuara për të pezulluar dialogun strategjik me Kosovën, duke theksuar se marrëdhëniet mes dy vendeve mbeten të qëndrueshme dhe se Kosova vazhdon të jetë partneri më serioz i SHBA-së për stabilitet dhe paqe në rajon.
Zëdhënësi i Qeverisë në detyrë, Përparim Kryeziu, në një reagim publik theksoi se ekzekutivi ka përmbushur mandatin e plotë për herë të parë që nga shpallja e pavarësisë, duke kontribuar në stabilitet institucional dhe zhvillim socio-ekonomik, pavarësisht sfidave globale si pandemia, kriza energjetike dhe lufta në Ukrainë.
Ai shtoi se veprimet e qeverisë kanë qenë gjithmonë ligjore dhe kushtetuese, duke synuar eliminimin e vatrave të destabilitetit dhe forcimin e sundimit të ligjit, sidomos në veri të vendit. Sipas tij, Kosova ka depolitizuar integrimin e komunitetit serb, duke mbrojtur qytetarët nga strukturat ilegale të Serbisë dhe duke ofruar masa konkrete si punësimi dhe verifikimi i diplomave të Universitetit të Mitrovicës së Veriut.
Lidhur me kritikat ndaj Gjykatës Kushtetuese, Kryeziu tha se qëndrimi i kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, ka qenë i qartë, duke e akuzuar këtë institucion për vonesa në vendimmarrje dhe cenim të karakterit demokratik të Republikës.
Në fund, ai shprehu mirënjohje për kontributin e SHBA-së ndaj Kosovës, duke theksuar:
“I mirëpresim edhe kritikat. Kurdo që janë konkrete, përpiqemi maksimalisht të përmirësojmë dhe korrigjojmë hapat e veprimet tona.”











