PZAP refuzon ankesën e PDK-së kundër LVV-së
Paneli Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) ka refuzuar ankesën e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) kundër Lëvizjes Vetëvendosje lidhur me një postim në rrjetin social Facebook nga kandidarja për kryetare të Drenasit, Egzona Tërdevci.
Ankesa e PDK-së pretendonte se Tërdevci kishte publikuar një postim ku akuzonte PDK-në për dy kandidatë në garën për kryetar të Drenasit, duke përmendur Petrit Hajdarin dhe Ramiz Lladrovcin.
Në vendimin e PZAP-it thuhet se pas shqyrtimit të ankesës dhe përgjigjes së të ankuarës, u vlerësua se pretendimet e PDK-së janë të paqëndrueshme dhe veprimi i Tërdevcit nuk përbën shkelje të Ligjit për Zgjedhjet e Përgjithshme në Kosovë.
PZAP thekson se Kodi i Sjelljes për subjektet politike dhe kandidatët synon krijimin e kushteve për zgjedhje të lira, të drejta dhe të mirë-informuara në një atmosferë tolerante, paqësore dhe me respekt për sundimin e ligjit.











