Punëtorët e RTK-së nisin grevën e përgjithshme për shkak të mosmarrjes së pagave
Punëtorët e Radiotelevizionit të Kosovës (RTK) kanë hyrë sot në grevë të përgjithshme, pasi pagat e tyre nuk janë ekzekutuar. Greva do të zhvillohet çdo ditë nga ora 11:00 deri në 13:00, me ndërprerje të plotë të punës në të gjitha sektorët e transmetuesit publik.
Sindikata e Punëtorëve të RTK-së ka njoftuar se vendimi është marrë pas kërkesave të shumta që, sipas tyre, kanë mbetur të paadresuara dhe se situata po e rrezikon seriozisht funksionimin e institucionit. Edhe Shoqata Sindikale e Radio Kosovës ka paralajmëruar një grevë njëorëshe para objektit të Radio Kosovës, duke kërkuar ndërhyrje urgjente nga institucionet për të siguruar pagesat dhe normalizimin e aktivitetit të RTK-së.
Sindikatat kanë bërë të ditur se greva do të vazhdojë deri në miratimin e buxhetit për transmetuesin publik. Në rast të mungesës së një zgjidhjeje, ato paralajmërojnë protesta para Qeverisë dhe Kuvendit, duke theksuar se vazhdimi i kësaj situate rrezikon misionin publik të RTK-së dhe mund të çojë në ndërprerje të programeve.










