Punëtorët e RTK-së i drejtohen Kurtit: 700 familje varen nga këto paga, kërkohet ndërhyrje urgjente për zhbllokimin e krizës
Sindikata e Punëtorëve të Radio Televizionit të Kosovës (SPERTK) i ka dërguar një letër kryeministrit në detyrë, Albin Kurti, duke kërkuar ndërhyrjen e tij urgjente për zgjidhjen e krizës financiare dhe institucionale në transmetuesin publik.
Në letrën drejtuar Kurtit, Sindikata thekson se mbi 700 punëtorë të RTK-së kanë mbetur pa paga, ndërsa po aq familje janë varur nga këto të ardhura për jetesën e përditshme. “Kjo situatë është bërë e padurueshme dhe rrezikon jo vetëm mirëqenien e punëtorëve, por edhe funksionimin normal të shërbimit publik të informimit në vend”, thuhet në letrën e SPERTK-së.
Sipas sindikatës, RTK ndodhet në një krizë të thellë institucionale dhe financiare, pasi aktualisht institucioni është pa bord funksional dhe pa drejtor të përgjithshëm, ndërsa udhëhiqet nga ushtrues detyre — në kundërshtim me ligjin për RTK-në.
“Ne nuk kërkojmë përplasje apo interpretime politike. Kërkojmë vetëm pagesën e punës së ndershme të punëtorëve, që për muaj të tërë kanë kryer detyrën me përkushtim, pavarësisht vështirësive”, theksohet në letër.
SPERTK i ka bërë thirrje Kurtit që përmes deputetëve të tij dhe institucioneve përkatëse të mundësojë rritjen e buxhetit për pagat në RTK, njësoj si në sektorët e tjerë publikë.
“Shteti e di rëndësinë e transmetuesit publik për demokracinë dhe informimin e qytetarëve. Kjo kërkesë nuk është vetëm sindikale, por një thirrje njerëzore dhe institucionale për të shmangur kolapsin e një institucioni që u shërben të gjithë qytetarëve të Kosovës”, përfundon letra e punëtorëve të RTK-së drejtuar kryeministrit në detyrë.










