Publikohen pamje nga arrestimi i serbit që sulmoi KFOR-in dhe Policinë e Kosovës
Prokuroria Speciale e Kosovës ka ndaluar për 48 orë të dyshuarin me inicialet S.R., pas sulmit ndaj KFOR-it dhe Policisë së Kosovës. Arrestimi u krye nga hetuesit e Drejtorisë për Hetimin e Krimeve të Rënda në Zveçan, me urdhër të Prokurorisë Speciale.

S.R. dyshohet për veprat penale: bashkim për veprimtari kundërkushtetuese, rrezikim të personave nën mbrojtje ndërkombëtare, pjesëmarrje në turmë që kryen vepër penale, huliganizëm dhe sulm ndaj personit zyrtar. Në banesën e tij u zbatuan kontrolle ku u gjetën prova materiale që do të përdoren në procedurën penale.
Brenda afatit ligjor, ndaj të dyshuarit do të parashtrohet kërkesa për caktimin e masës së paraburgimit në Gjykatën Themelore në Prishtinë. Hetuesit policorë dhe Prokuroria Speciale po vijojnë të gjitha veprimet hetimore në përputhje me ligjin.












