Pse po vonohen projektet në Vushtrri? – LEXOJENI PËRGJIGJEN
Pse po vonohen projektet në Vushtrri? – LEXOJENI PËRGJIGJEN
A i keni parë rrugët dhe disa projekte në Vushtrri që duket se “kurrë” nuk po përfundojnë!?
E pikërisht, vonesa në realizimin e punëve nga Komuna e Vushtrrisë ka gjetur edhe Zyra Kombëtare e Auditimit.
Auditorët kanë vërejtur një mori kontratash që nuk janë kryer edhe pse kishte kaluar përtej afatit, raporton Zëri i Vushtrrisë.
“Kontrata “Ndërtimi i rrugës Bekim Berisha Abeja dhe rrugës Vëllezërit Feka” në vlerë 778,251€, e lidhur më 25.08.2023, e cila afatin e realizimit e kishte dy vite kalendarike, që do duhej të përfundonte më 30.10.2024, ndërkohë që deri në fund të vitit 2024 kontrata ishte realizuar vetëm 67%;”, thuhet në raport.
Gjithashtu edhe ndërtimi i rrugës “Lumni Surdulli””, prej rreth 700 mijë eurosh, nuk ishte realizuar brenda afatit.
“Kontrata e lidhur më 25.08.2023 e cila afatin e realizimit e kishte dy vite kalendarike, që do duhej të përfundonte më 30.10.2024, ndërkohë që deri në fund të vitit 2024 kontrata ishte realizuar vetëm 79%;”, thuhet tutje në raport.
ZKA-ja ka evidentuar edhe projekte tjera që i kanë shkelur afatet e parapara.
“Kontrata “Ndërtimi i rrugës Avni Saraçi dhe rrugën Viciana” në vlerë 250,019€, e lidhur më 25.08.2023, e cila afatin e realizimit e kishte dy vite kalendarike që do duhej të përfundonte më 30.10.2024, ndërkohë që deri në fund të vitit 2024, kontrata ishte realizuar vetëm 75%;”, specifikon raporti i ZKA-së.
Edhe loti i 9-të i ndërtimit të kanalizimit, që kushtonte rreth 600 mijë euro nuk ishte kryer brenda afateve.
Sipas ZKA-së, vonesat në realizimin e projekteve kishin ndodhur si rezultat i planifikimit jo të mirë dhe mospërmbushjes së kushteve për realizimin e tyre para lidhjes së kontratave dhe për shkak të mungesës së mjeteve për përfundimin e tyre sipas dinamikës së paraparë.











