Provokime nga Crvena Zvezda në Danimarkë, shfaqin hartën e Kosovës nën flamurin serb
Në turneun e volejbollit për femra “CEV Challenge Cup” që po zhvillohet në Danimarkë, klubi serb Crvena Zvezda, gjatë ndeshjes ndaj Holtes, ka bërë provokime me simbole dhe mesazhe nacionaliste. Një flamur provokues me mbishkrimin “nuk ka dorëzim”, ku në qendër ishte shfaqur harta e Kosovës nën flamurin serb, ka nxitur reagime të menjëhershme.
Federata e Volejbollit e Kosovës (FVK) ka reaguar përmes një postimi në Facebook, duke e konsideruar këtë sjellje të papranueshme, që cenon vlerat e respektit, fair-play-t dhe ndarjes së sportit nga politika. FVK ka njoftuar se ka kontaktuar zyrtarisht Konfederatën Evropiane të Volejbollit (CEV), duke kërkuar trajtimin serioz të rastit dhe marrjen e masave përkatëse ndaj përgjegjësve.










