#Lajme

Protestës në Tiranë për krerët e UÇK-së i bashkohen edhe udhëheqësit fetarë nga Shqipëria

Protestës që do të mbahet më 17 tetor në orën 17:00 në sheshin “Skënderbej” në Tiranë, në mbështetje të ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK), do t’i bashkohen edhe përfaqësues të lartë të komuniteteve fetare nga Shqipëria.

Sipas Organizatës së Veteranëve të Luftës së UÇK-së (OVL-UÇK), protesta do të jetë një shprehje solidariteti për ata që luftuan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës.

Në mesin e pjesëmarrësve do të jetë edhe kryeministri Edi Rama, i cili një ditë më parë u bëri thirrje qytetarëve shqiptarë të marrin pjesë në protestë. Po ashtu, në ngjarje do të marrë pjesë edhe ish-presidenti Alfred Moisiu, që pritet të mbajë një fjalim para të pranishmëve.

Përkrahje për protestën kanë dhënë edhe udhëheqësit fetarë në Shqipëri. Kryegjyshi Botëror i Bektashinjve, Haxhi Dede Edmond Brahimaj (Baba Mondi), ka theksuar se Bektashinjtë do të marrin pjesë në protestë për të mbështetur ata që “luftuan për liri dhe paqe”.

Edhe Myftiu i Tiranës, Bilal Teqja, ka konfirmuar praninë e tij, duke theksuar se “çdo luftëtar i lirisë meriton përkrahje” dhe ka ftuar besimtarët myslimanë të bashkohen në protestë.