Protestë në Prishtinë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale – në mbrojtje të luftës së UÇK-së
Sot në ora 17:00 në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, organizatat e dala nga lufta e UÇK-së mbajnë protestë kundër padrejtësive të Gjykatës Speciale dhe në mbrojtje të luftës çlirimtare.
Thirrja për pjesëmarrje masive u bë të mërkurën në një konferencë për media, ku përfaqësues të veteranëve shprehën shqetësimin për përdorimin e dokumenteve të Serbisë në proceset gjyqësore ndaj ish-krerëve të UÇK-së në Hagë.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se përkrah protestës, sot do të ketë transport urban dhe parking falas për qytetarët nga ora 16:00 deri në 18:00.
Presidentja Vjosa Osmani ka reaguar duke e quajtur të papranueshëm përdorimin e dokumenteve serbe, të cilat i cilësoi si të falsifikuara dhe të rrezikshme për rishkrimin e historisë.
Edhe ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, e quajti pranimin e këtyre dokumenteve “fyerje për viktimat dhe deformim të drejtësisë”.
Protesta synon të dërgojë një mesazh të qartë se lufta e UÇK-së ishte e drejtë dhe se bashkëluftëtarët nuk janë vetëm.










