Prokuroria Speciale nis hetimet për çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka hapur hetime lidhur me çështjen e shtrenjtimit të energjisë elektrike në vend. Lajmin e ka bërë të ditur deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, përmes një postimi në rrjete sociale.
Ajo ka reaguar pas faturave të fundit të energjisë, duke thënë se ato po rëndojnë buxhetin e familjeve kosovare.
“Qytetarët këto ditë po marrin fatura që po varfërojnë buxhetin e secilës familje. Tetori nuk ka qenë i ftohtë, por tashmë të gjithë janë të brengosur për faturat e dimrit,” ka shkruar Bajrami.
Deputetja ka theksuar se gjatë këtij mandati çmimi i energjisë është dyfishuar për familjet dhe trefishuar për bizneset, gjë që sipas saj ka ndikuar në rritjen e përgjithshme të çmimeve në treg.
Bajrami ka bërë të ditur se në fillim të këtij muaji ka dhënë dëshminë e saj në Prokurorinë Speciale, duke shtuar se hetimet po zhvillohen në lidhje me atë që e ka quajtur “mafi energjetike”.











