Prokuroria Speciale kërkon paraburgim për të dyshuarin për krime lufte në Vushtrri
Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka paraqitur në Gjykatën Themelore në Prishtinë kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj të dyshuarit S.S., i cili aktualisht ndodhet në ndalim 48-orësh. Ai akuzohet për veprën penale “Krime lufte kundër popullsisë civile”.
Sipas hetimeve, S.S. dyshohet se gjatë luftës në Kosovë ka vepruar në bashkëpunim me pjesëtarë të tjerë të uniformuar të Ministrisë së Punëve të Brendshme të Serbisë dhe ka marrë pjesë në vrasjen e civilëve të paarmatosur në komunën e Vushtrrisë.
Prokuroria bën të ditur se më 6 prill 1999, i dyshuari, së bashku me të tjerë, ka kryer aksione që përfshinin plaçkitje, djegie të shtëpive si dhe ushtrim dhune fizike e seksuale ndaj civilëve.
Në kuadër të hetimeve janë siguruar prova materiale dhe dëshmi nga dëshmitarë. Prokuroria ka theksuar se mbetet e përkushtuar në hetimin dhe ndjekjen e krimeve të luftës.











