Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë për spiunazh ndaj H.S., i cili dyshohet se për vite me radhë ka bashkëpunuar me Agjencinë e Inteligjencës dhe Sigurisë së Serbisë (BIA).
Sipas aktakuzës, nga nëntori i vitit 2009 deri në arrestimin e tij më 6 maj 2025, H.S. ka dorëzuar informacione të ndjeshme tek zyrtarë të BIA-s, përfshirë të dhëna rreth pjesëmarrjes së shtetasve shqiptarë në organizatën terroriste “ISIS”.
Në dokumentin e Prokurorisë thuhet se ai kishte udhëtuar në Siri më 22 nëntor 2015 dhe iu bashkua “ISIS”-it, ndërsa pas kthimit në Kosovë dhe vuajtjes së dënimit për këtë vepër, ka vazhduar kontaktet me zyrtarët e BIA-s në Serbi, duke u takuar edhe me drejtorin për Luftimin e Terrorizmit, I.B.
Për informacionet e dhëna, H.S. dyshohet se paguhej deri në 700 euro në muaj.
Prokuroria Speciale ka kërkuar vazhdimin e paraburgimit, ndërsa pas procesit gjyqësor pritet të shpallet vendimi përfundimtar ndaj të pandehurit.











