Prokuroria kërkon paraburgim për të miturin që dyshohet për kontrabandim të pesë migrantëve kinezë
Prokuroria Themelore në Ferizaj, Departamenti për të Mitur, ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Ferizaj caktimin e masës së paraburgimit ndaj një të mituri, i dyshuar për veprën penale “Kontrabandimi me migrantë”.
Sipas prokurorisë, më 21 tetor 2025 rreth orës 20:20, në fshatin Seqishtë të komunës Hani i Elezit, i mituri dyshohet se ka organizuar kontrabandimin e pesë personave me shtetësi kineze. Ai fillimisht kishte komunikuar me ta në Serbi dhe kishte rënë dakord për pagesë prej 20 euro për secilin person. Më pas, i mituri i ka marrë nga Serbia, i ka futur në një automjet të drejtuar nga një person ende i panjohur dhe i ka dërguar drejt kufirit Kosovë – Maqedoni e Veriut.
Atje, njësitë patrulluese kufitare kanë arrestuar të gjithë personat dhe i kanë shoqëruar në stacionin policor kufitar në Kaçanik, ku është arrestuar edhe i mituri. Ai aktualisht ndodhet nën masën e ndalimit 24-orësh, me vendim të prokurorit të shtetit, derisa vazhdojnë hetimet për këtë rast.











