Prokuroria kërkon paraburgim për 10 kryesues të QKN-ve të dyshuar për manipulim votash
Prokuroria Themelore në Mitrovicë ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj 10 nga 34 kryesuesit e Qendrave Komunale të Numërimit (QKN), të cilët janë ndaluar nën dyshimin për falsifikim të rezultateve zgjedhore gjatë zgjedhjeve të mbajtura më 28 dhjetor 2025.
Lajmi është konfirmuar për Telegrafin nga zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni, i cili bëri të ditur se ndaj 34 personave është shqiptuar masa e ndalimit prej 48 orësh, për shkak të dyshimeve për veprën penale “falsifikim i rezultateve të votimit”.
Sipas Prokurorisë, janë intervistuar gjithsej 43 kryesues të QKN-ve në komunat Mitrovicë Jug, Mitrovicë Veri, Leposaviq, Zubin Potok dhe Zveçan, pas dyshimeve për manipulim të rezultateve zgjedhore.
Gjykata pritet të vendosë në seancat e ardhshme lidhur me masat e sigurisë ndaj personave të ndaluar.
Në bazë të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, manipulimi i qëllimshëm i votës apo i rezultatit zgjedhor përbën vepër penale dhe dënohet me burgim deri në pesë vjet.








