#Lajme

Prokuroria e Gjakovës nis hetime për dyshime të manipulimit të votave në Malishevë

Prokuroria Themelore në Gjakovë ka bërë të ditur se është duke përcjellë nga afër procesin e rinumërimit të rezultateve zgjedhore, në kuadër të përgjegjësive të saj ligjore.

Sipas njoftimit zyrtar, Prokuroria ka autorizuar Policinë e Kosovës që në Komunën e Malishevës të ndërmarrë të gjitha veprimet e nevojshme hetimore, përfshirë identifikimin e personave të dyshuar, mbledhjen e informatave dhe sigurimin e provave relevante që lidhen me dyshimet për manipulim të votave për kandidatët për deputet të Kuvendit të Kosovës.

Nga Prokuroria Themelore në Gjakovë është theksuar se institucionet mbeten të përkushtuara në mbrojtjen e votës së lirë të qytetarëve dhe në trajtimin e çdo rasti të dyshuar, me qëllim të garantimit të integritetit të procesit zgjedhor dhe respektimit të sundimit të ligjit.