Prizren: Lyerja me ngjyrë ari e shtatores së Skënderbeut, Totaj: Veprim i paautorizuar, policia po heton rastin
Në Prizren është ndezur debat pas lyerjes me ngjyrë ari të përkrenares dhe shpatës së shtatores së heroit kombëtar Gjergj Kastrioti – Skënderbeu.
Kryetari i Komunës së Prizrenit, Shaqir Totaj, ka reaguar për këtë veprim duke sqaruar se nuk është pjesë e ndonjë procesi zyrtar restaurimi.
“Sipas informacioneve që posedojmë, ky ndryshim nuk është miratuar nga komuna apo ndonjë institucion tjetër kompetent. Nuk ka ekzistuar asnjë vendim apo kërkesë zyrtare për lyerjen e monumentit. Ky është një veprim i paautorizuar dhe i papranueshëm”, ka deklaruar Totaj.
Ai shtoi se Policia e Kosovës është duke zhvilluar hetime për këtë rast dhe theksoi se çdo ndërhyrje në monumentet që përfaqësojnë figurën e Skënderbeut duhet të bëhet vetëm përmes procedurave institucionale, me transparencë dhe respekt për vlerën që mbart kjo figurë historike.
Komuna e Prizrenit, sipas tij, mbetet e angazhuar për të mbrojtur dhe ruajtur trashëgiminë historike e kulturore të qytetit.











