#Kronika e zezë

Prizren: Gjendet i vdekur 17-vjeçari që ishte raportuar i zhdukur – humbi jetën pas aksidentit me motor

Një ngjarje tragjike ka ndodhur të martën në Prizren, ku një 17-vjeçar është gjetur i vdekur pas një aksidenti me motoçikletë në rrugën Landovicë–Gjonaj.

Sipas Policisë, viktima është V. N. (2008) nga lagjja Arbane e Prizrenit, i cili ishte raportuar i zhdukur një ditë më parë pasi nuk ishte kthyer në shtëpi dhe nuk ishte lajmëruar në telefon.

Trupi i tij u gjet nga qytetarë që po punonin në ara, rreth 7–8 metra larg rrugës, pranë një muri të një shtëpie në ndërtim. Ata njoftuan menjëherë Policinë, e cila doli në vendngjarje dhe nisi hetimet.

Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Prizrenit, Shaqir Bytyqi, tha se nga hetimet fillestare dyshohet se i mituri, gjatë drejtimit të motoçikletës, nuk i është përshtatur kushteve të rrugës, ka humbur kontrollin dhe është përplasur në murin mbrojtës, duke pësuar lëndime të rënda që i kanë shkaktuar vdekjen në vend.

Hetimet po vazhdojnë nga Policia e Kosovës në bashkëpunim me Prokurorinë Themelore në Prizren, për të sqaruar të gjitha rrethanat e rastit.