Prizren: Caktohen seancat dëgjimore për 109 të ndaluarit për manipulim votash
Gjykata Themelore në Prizren ka njoftuar se sot, më 24 janar 2026, duke filluar nga ora 14:00, do të mbahen seancat dëgjimore për caktimin e masës së sigurisë ndaj 109 personave të ndaluar, të dyshuar për vepra penale kundër të drejtës së votimit.
Sipas njoftimit zyrtar, seancat janë caktuar për arsye organizative dhe për mbarëvajtjen e procesit, ndërsa ende nuk ka përfunduar pranimi i kërkesave nga Prokuroria Themelore në Prizren për caktimin e masave të sigurisë. Si rrjedhojë, numri i kërkesave të pranuara dhe i personave për të cilët do të kërkohet masa e sigurisë mund të ndryshojë.
Një ditë më parë, Policia e Kosovës dhe Prokuroria Themelore në Prizren kanë zhvilluar një aksion të gjerë, gjatë të cilit janë arrestuar dhe ndaluar 109 persona, përfshirë komisionerë dhe individë të tjerë, të cilët dyshohet se kanë ndikuar në rezultatin zgjedhor të kandidatëve për deputetë në këtë komunë.








