#Lajme

Prizren: Arrestohet 28-vjeçari që shpërndante drogë, kapet pas një ndjekjeje nga policia

Njësia e Hetimeve të Narkotikëve në Prizren ka arrestuar një 28-vjeçar, i dyshuar për shpërndarje të substancave narkotike në qytet.

Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 26 shtatorit, kur hetuesit, pas informacioneve operative, kanë vërejtur një veturë VW Golf VI ngjyrë hiri që po përdorej për shpërndarje të marihuanës. Policia i ka dhënë urdhër shoferit të ndalet, por ai ka tentuar të largohet me shpejtësi, duke hedhur gjatë ikjes dy qese me substancë narkotike në rrugët “Faik Emrush” dhe “Evlija Qelebij”.

Pas disa minutash ndjekjeje, i dyshuari ka braktisur veturën, por është arrestuar nga hetuesit. Gjatë kontrollit në trup, veturë dhe vendet ku u hodhën qeset, policia ka sekuestruar:

Veturën VW Golf VI, 395 euro para kesh, 17 qese me marihuanë me peshë totale 20.17 gramë, Një grinder, Një telefon mobil.

I dyshuari, i identifikuar si E. H., 28 vjeç, është intervistuar në prani të avokatit. Me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Themelore në Prizren, ai është ndaluar për 48 orë dhe po hetohet për veprën penale “Blerja, posedimi, shpërndarja dhe shitja e paautorizuar e substancave narkotike, psikotrope dhe analoge” sipas nenit 267 të Kodit Penal të Kosovës.

Hetimet lidhur me rastin janë duke vazhduar.