Presidentja Osmani udhëton për vizitë zyrtare në Slloveni, e ftuar speciale në Asamblenë Parlamentare të NATO-s
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka udhëtuar sot drejt Sllovenisë për një vizitë zyrtare, ku do të marrë pjesë në sesionin e Asamblesë Parlamentare të NATO-s që po mbahet në Lubjanë.
Osmani është e ftuar speciale në këtë sesion nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Marcos Perestrello.
Gjatë vizitës njëditore, Presidentja Osmani do të zhvillojë një takim bilateral me Presidenten e Republikës së Sllovenisë, Nataša Pirc Musar, si dhe do të marrë pjesë në pritjen zyrtare të organizuar nga Kryetarja e Asamblesë Kombëtare të Sllovenisë, Urška Klakočar Zupančič.
Në kuadër të sesionit të Asamblesë Parlamentare të NATO-s, Presidentja Osmani pritet të zhvillojë edhe takime të tjera dypalëshe.











