#Lajme

Presidentja Osmani paralajmëron se do t’i drejtohet Kushtetueses nëse nuk konstituohet Kuvendi

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, pritet të mbajë një konferencë për media sot në orën 16:00, ku sipas burimeve të Indeksonline, do të paralajmërojë se nëse Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet deri në fundjavë, ajo do t’i drejtohet Gjykatës Kushtetuese për sqarime ligjore.

Konferenca është paralajmëruar pa zbuluar detaje shtesë për përmbajtjen e saj, por burimet brenda presidencës theksojnë se bëhet fjalë për një çështje me rëndësi kushtetuese, që ndërlidhet me funksionimin institucional të vendit.

“Ne jemi duke përgatitur lëndën për Gjykatën Kushtetuese, dhe nëse nuk arrihet ndonjë marrëveshje gjatë fundjavës që do të mundësonte konstituimin e institucioneve, atëherë në fillim të javës do të ndërmarrim hapat e nevojshëm”, thuhet në deklarimin e burimeve.