Presidentja Osmani kritikon heshtjen e Shkupit ndaj thirrjeve raciste në Kumanovë
Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka reaguar ndaj thirrjeve raciste kundër shqiptarëve që u dëgjuan gjatë një ndeshjeje basketbolli mes Maqedonisë së Veriut dhe Rumanisë në Kumanovë. Ajo i quajti këto thirrje një sulm ndaj bashkëjetesës ndëretnike dhe theksoi se sporti duhet të bashkojë njerëzit, jo të përhapë urrejtje.
Osmani u shpreh e shqetësuar për heshtjen e autoriteteve në Shkup, përfshirë kryeministrin Hristjan Mickoski, duke paralajmëruar se kjo qasje rrezikon tolerancën ndëretnike. Ajo u bëri thirrje institucioneve të Maqedonisë së Veriut të marrin masa kundër organizatorëve dhe nxitësve të urrejtjes, duke mbrojtur vlerat evropiane.
Presidentja theksoi se Kosova do të vazhdojë të mbrojë dinjitetin e shqiptarëve kudo që jetojnë. Gjatë ndeshjes u brohoritën parulla të rënda si “shqiptar i mirë është shqiptar i vdekur” dhe “dhoma gazi për shqiptarët”.











