Portugalia nis procesin për njohjen e shtetësisë palestineze
Qeveria e Portugalisë ka njoftuar se ka nisur zyrtarisht procesin për njohjen e shtetit të Palestinës, me synim që vendimi të finalizohet deri në shtator, gjatë mbajtjes së Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara.
Sipas deklaratës së lëshuar të enjten, kjo iniciativë vjen si përgjigje ndaj zhvillimeve të fundit rajonale dhe ndërkombëtare, përfshirë edhe garancitë e dhëna nga Autoriteti Palestinez për një sërë zotimesh, si dhe sinjalet nga disa vende arabe për normalizim të marrëdhënieve me Izraelin.
Qeveria portugeze thekson se vendimi është ndikuar gjithashtu nga situata e rënduar humanitare dhe e sigurisë në Rripin e Gazës, të cilën e cilëson si “shumë shqetësuese”.
Njoftimi vjen pas një takimi të përbashkët të organizuar nga Arabia Saudite dhe Franca në Nju Jork, ku shtetet arabe dhe myslimane, për herë të parë, kanë bërë thirrje për çarmatosjen e Hamasit dhe largimin e tij nga pushteti në Gaza – si pjesë e përpjekjeve për paqe dhe zgjidhje të qëndrueshme për konfliktin izraelito-palestinez.











