Policia parandalon kontrabandë barnash nga Serbia në fshatin Novosellë
Një rast i kontrabandës me mallra është parandaluar nga patrulla kufitare e SPMK–Muqivërcë, në kuadër të Drejtorisë Rajonale të Policisë Kufitare – Lindje, në zonën e Kaçanikut. Policia ishte angazhuar në luftimin e aktiviteteve kriminale ndërkufitare, kur rreth orës 13:25, në fshatin Novosellë, ndaloi për kontroll një automjet me targa të Serbisë që kishte hyrë në territorin e Kosovës nga Serbia.
Gjatë kontrollit të automjetit, në bagazhin e tij u gjetën barna të llojeve të ndryshme, të cilat dyshohet se po kontrabandoheshin në mënyrë të paligjshme.
Për rastin është njoftuar prokurorja kujdestare nga Prokuroria Themelore në Gjilan, e cila ka urdhëruar që rasti të cilësohet si “Kontrabandë me mallra”. Mallrat e dyshuara janë sekuestruar përkohësisht dhe janë dorëzuar për ruajtje në Doganën e Kosovës, ndërsa personi i ndaluar dhe automjeti janë liruar në procedurë të rregullt.













