#Lajme

Policia: Mbi 2 mijë vjedhje të rënda dhe dhjetëra grabitje të regjistruara gjatë vitit 2025

Policia e Kosovës ka publikuar raportin vjetor për sigurinë publike, ku bëhet e ditur se gjatë vitit 2025 është shënuar rënie e përgjithshme e veprave penale në nivel vendi.

Sipas të dhënave zyrtare, numri i veprave penale ka rënë për 3.54 për qind krahasuar me vitin 2024. Në këtë kuadër, vjedhjet e rënda kanë shënuar rënie të lehtë, nga 2.087 raste sa ishin në vitin 2024, në 2.027 raste gjatë vitit 2025, që përfaqëson një ulje prej 2.87 për qind.

Rënie është regjistruar edhe te vepra penale e grabitjes, ku nga 70 raste në vitin paraprak, këtë vit janë evidentuar 62 raste në të gjithë Kosovën.

Raporti thekson gjithashtu se gjatë vitit 2025 janë shënuar 95 aksidente fatale në komunikacion, ndërsa Policia ka konfiskuar gjithsej 1.882 armë. Në kuadër të luftës kundër krimit të organizuar, janë identifikuar dhe shkatërruar 20 grupe kriminale.