Policia e Kosovës: 1.039 armë të konfiskuara në gjashtë muaj, 8 raste vrasjesh
Armët pa leje vazhdojnë të jenë një kërcënim serioz për sigurinë publike në Kosovë, shpesh të përfshira në incidente të rënda kriminale, përfshirë vrasje dhe tentativa vrasjeje.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, nga janari deri në fund të korrikut 2025 janë konfiskuar 1.039 armë zjarri dhe 18.606 copë municion. Në të njëjtën periudhë të vitit 2024, ishin sekuestruar 934 armë dhe 18.307 municione.
Numri i rasteve të vrasjeve dhe vrasjeve të rënda deri në fund të korrikut 2025 është tetë, ndërsa në periudhën e njëjtë të vitit të kaluar ishin dhjetë.
Policia u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkëpunojnë dhe të raportojnë rastet e posedimit apo përdorimit të armëve pa leje, duke garantuar konfidencialitetin e informacionit.
Thirrja vjen pas një serie incidentesh të rënda, ku vetëm të dielën tre persona humbën jetën nga të shtënat me armë zjarri, një tjetër në Prizren u vra me thikë, ndërsa në Hajvali një person mbeti i vrarë pas një mosmarrëveshjeje në komunikacion.











