Policia arreston pesë persona në Shtime, Lipjan dhe Drenas për armëmbajtje pa leje
Pesë persona janë arrestuar gjatë një operacioni të Policisë së Kosovës, të zhvilluar sot në komunat Shtime, Lipjan dhe Drenas, pas dyshimeve për veprimtari të kundërligjshme me armë.
Operacioni, i realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Krimit të Organizuar dhe Krimeve të Rënda në bashkëpunim me prokurorinë kompetente, u krye pas zhvillimit të hetimeve dhe rezultoi me kontrollin e pesë lokacioneve të ndryshme. Gjatë bastisjeve u sekuestruan dëshmi materiale, përfshirë një AK-47, një pushkë të gjatë me dylbi, një pushkë gjuetie, një revole, 116 fishekë të kalibrave të ndryshëm, 8 fishekë me gaz, 2 pushkë ajrore dhe 5 telefona.
Sipas autoriteteve, të arrestuarit dyshohen për veprat penale “Importi, eksporti, furnizimi, transportimi, prodhimi, këmbimi, ndërmjetësimi ose shitja e paautorizuar e armëve apo materieve plasëse” dhe “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.
Pas intervistimit, me vendim të prokurorit, të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë.










