#Lajme

Pjesëtari i policisë serbe arrestohet në Jarinjë me fishekë dhe para të gatshme

Një pjesëtar i policisë së Serbisë është arrestuar nga Policia e Kosovës më 1 nëntor 2025, në pikën kufitare të Jarinjës, nën dyshimin për import, eksport, furnizim dhe transport të paautorizuar të armëve apo materialeve plasëse.

Sipas raportit zyrtar, arrestimi është bërë rreth orës 10:02, në momentin kur i dyshuari po tentonte të hynte në Kosovë me një veturë me targa të Beogradit. Gjatë kontrollit të detajuar, zyrtarët policorë kanë gjetur dhe sekuestruar 51 fishekë, 9.900 euro para të gatshme dhe 26.000 dinarë serb.

Po ashtu, janë konfiskuar edhe disa dokumente dhe pajisje zyrtare policore, përfshirë kartelën e identifikimit dhe distinktivin e policisë së Serbisë, kartelën e sindikatës së policisë serbe, letërnjoftimin e Serbisë dhe të Kosovës, pasaportën serbe, një palë spaleta uniformash, dorëza dhe një USB.

Me urdhër të prokurorit kompetent, i dyshuari është ndaluar në mbajtje, ndërsa hetimet lidhur me rastin po vazhdojnë.