Piloti i një aeroplani pasagjerësh shmang përplasjen me një bombardues amerikan mbi Dakotën e Veriut
Një incident i rrezikshëm ajror është raportuar mbi shtetin e Dakotës së Veriut, ku një aeroplan pasagjerësh i kompanisë SkyWest – fluturimi Delta 3788 – kreu një “manovër agresive” për të shmangur përplasjen me një bombardues ushtarak amerikan.
Aeroplani ishte nisur nga Minneapolis dhe po i afrohej qytetit të Minot, kur piloti vërejti një aeroplan tjetër që po afrohej me shpejtësi nga e djathta. Për të shmangur një përplasje të mundshme, ai ndryshoi me urgjencë drejtimin e fluturimit.
“Nuk e di sa shpejt po fluturonin, por ishin shumë më të shpejtë se ne. Mendova se ishte më e sigurt të kthehesha pas tij,” dëgjohet të ketë thënë piloti në një audio të regjistruar, e cila është publikuar nga mediat e huaja.
Ngjarja ka ngritur shqetësime për sigurinë ajrore dhe për koordinimin midis avionëve civilë dhe atyre ushtarakë në hapësirën ajrore amerikane. Deri tani nuk ka raportime për të lënduar, por hetimet rreth incidentit janë duke vazhduar.










