Pezullohet tenderi 8.5 milionësh i Ministrisë së Arsimit pas dyshimeve për parregullsi
Ministria e Arsimit rrezikon të mos e nis vitin e ri shkollor 2025/2026 me tabela të mençura në shkollat parauniversitare, për shkak të pezullimit të një tenderi në vlerë prej 8.5 milionë euro.
Ky aktivitet i prokurimit është pezulluar nga Organi Shqyrtues i Prokurimit (OSHP), pas një ankese të paraqitur nga kompania “SOLUTION D” SH.P.K. Derisa OSHP të marrë vendim për këtë ankesë, procedurat për tenderin mbeten të bllokuara.
Tenderi kishte për qëllim blerjen, furnizimin dhe instalimin e smartboard-ve në institucionet arsimore parauniversitare. Sipas ankesës së kompanisë, kriteret e përzgjedhjes dyshohet se janë formuluar në mënyrë që të favorizojnë kompani të caktuara.
Bazuar në këto pretendime, OSHP ka vendosur ta pezullojë përkohësisht procesin deri në shqyrtimin e plotë të rastit.












