Pesë vjet nga Marrëveshja e Uashingtonit: shumë zotime, pak rezultate
Më 4 shtator 2020, në Shtëpinë e Bardhë, në prani të presidentit amerikan të atëhershëm Donald Trump, kryeministri i Kosovës Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq nënshkruan marrëveshjen për normalizim ekonomik. Dokumenti u nënshkrua në katër gjuhë: shqip, anglisht, serbisht dhe hebraisht.
Një nga rezultatet kryesore ishte njohja reciproke mes Kosovës dhe Izraelit, që çoi në hapjen e ambasadës së Kosovës në Jerusalem më 14 mars 2021. Marrëveshja parashihte edhe një moratorium njëvjeçar, përmes së cilit Kosova nuk do të aplikonte për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të pezullonte fushatën për çnjohjen e pavarësisë së Kosovës.
Dokumenti përmbante një sërë zotimesh të tjera, përfshirë:
Zbatimin e marrëveshjeve për autostradën dhe hekurudhën Beograd–Prishtinë; Projekte infrastrukturore me mbështetje amerikane; Operacionalizimin e pikëkalimit kufitar Merdare; Bashkëpunim në energji dhe përdorimin e përbashkët të Liqenit të Ujmanit; Ndalimin e pajisjeve 5G nga prodhues të pasigurt; Angazhime për të drejtat e njeriut, liritë fetare dhe kthimin e pronave; Përpjekje për identifikimin e personave të zhdukur; Njohjen e ndërsjellë të diplomave dhe certifikatave profesionale.
Pesë vjet më pas, shumë nga këto zotime mbeten të parealizuara, duke e bërë Marrëveshjen e Uashingtonit një dokument me premtime të mëdha, por rezultate të kufizuara në praktikë.











