#Lajme

Përmbyllet numërimi i votave, publikohet ndarja e mandateve në Kuvend

Në Qendrën e Numërimit dhe Rezultateve, në orët e hershme të mëngjesit të së premtes rreth orës 02:00, ka përfunduar numërimi i fletëvotimeve të mbetura nga votimi me postë jashtë Kosovës, duke u mbyllur kështu i gjithë procesi i numërimit të votave nga zgjedhjet e parakohshme të 28 dhjetorit.

Lajmin e ka konfirmuar për Telegrafin zëdhënësi i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Valmir Elezi, i cili ka bërë të ditur se me përfundimin e këtij numërimi, KQZ tashmë është e gatshme të shpallë rezultatin përfundimtar të zgjedhjeve.

Sipas Elezit, ligji u jep palëve të drejtë që brenda 48 orëve nga ndonjë shkelje e supozuar të paraqesin ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, lidhur me administrimin e procesit të numërimit në QNR.

Bazuar në rezultatet e numëruara, Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 51.11 për qind të votave, që i përkthehen në 57 mandate në Kuvendin e Kosovës. Partia Demokratike e Kosovës ka marrë 20.19 për qind të votave dhe do të ketë 22 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike e Kosovës me 13.23 për qind ka siguruar 15 mandate. Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës ka fituar 5.5 për qind të votave, duke siguruar 6 ulëse.

Ndërkohë, subjektet politike nga radhët e komuniteteve joshumicë do të përfaqësohen me gjithsej 20 mandate në Kuvendin e Kosovës.

Leave a comment

Your email address will not be published. Required fields are marked *