Dje në mbrëmje është përmbylluar numërimi i votave me postë dhe janë publikuar rezultatet e përmbledhura
Ka përfunduar mbrëmjen e djeshme numërimi i plotë i votave me postë për zgjedhjet e parakohshme parlamentare të mbajtura më 28 dhjetor. Të dhënat janë bërë publike nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve përmes platformës së tij zyrtare.
Sipas rezultateve të votimit me postë, Lëvizja Vetëvendosje kryeson me 72.62 për qind të votave. Pas saj renditet Lidhja Demokratike e Kosovës me 10.27 për qind, Partia Demokratike e Kosovës me 9.14 për qind, si dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës me 3.93 për qind.
Ndërkohë, rezultatet e përgjithshme të përmbledhura tregojnë se LVV ka siguruar 51.01 për qind të votave në nivel vendi, duke fituar 57 ulëse në Kuvendin e Kosovës, në legjislaturën e dhjetë. PDK renditet e dyta me 20.24 për qind dhe 22 ulëse, ndërsa LDK është e treta me 13.26 për qind të votave dhe 15 ulëse. AAK pozicionohet e katërta me 5.50 për qind të votave, duke siguruar 6 ulëse.
Megjithatë, procesi nuk është mbyllur plotësisht, pasi ende nuk janë sjellë në Kosovë 3 mijë e 185 pako me fletëvotime të tërhequra nga kutitë postare në Paris (1,962), Berlin (633), Hagë (61), Podgoricë (125) dhe Otavë (404).












