Pejë: Aktakuzë ndaj një personi për vjedhje gjësendeve mbi 100 mijë euro
Prokuroria Themelore në Pejë ka ngritur aktakuzë ndaj një personi me inicialet B.B., i dyshuar për një rast të vjedhjes së rëndë me vlerë mbi 100 mijë euro.
Sipas aktakuzës, më 21 prill 2025, i pandehuri ka hyrë në mënyrë të paligjshme në një shtëpi private në Pejë, duke thyer dritaren e katit të dytë, në kohën kur familja ndodhej jashtë vendit. Nga aty ai dyshohet se ka marrë ar në vlerë rreth 30 mijë euro, para të gatshme rreth 7 mijë euro dhe orë të markave të ndryshme në vlerë afër 87 mijë euro.
Policia e Kosovës, gjatë një kontrolli në shtëpinë e të pandehurit po atë ditë, ka gjetur orët që i përkisnin familjes së dëmtuar.
Prokuroria ka konstatuar se janë përmbushur elementet e veprës penale “Vjedhje e rëndë”, ndërsa ka propozuar që i pandehuri të shpallet fajtor dhe të dënohet sipas ligjit. Rasti është dërguar për shqyrtim në gjykatën kompetente në Pejë.











