PDK çon në Kushtetuese vendimin e ZRRE-së për tregun e lirë të energjisë
Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka dorëzuar sot një kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të Zyrës së Rregullatorit për Energji (ZRRE), përmes të cilit rreth 1300 biznese janë kaluar në të ashtuquajturin treg të lirë të energjisë.
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, tha se ky vendim dëmton rëndë ekonominë e vendit dhe rrezikon qindra mijëra vende pune. Ai theksoi se partia ka kërkuar edhe masë të përkohshme nga Gjykata Kushtetuese për pezullimin e menjëhershëm të vendimit deri në shqyrtimin e çështjes.
“Sot në emër të PDK-së dorëzuam kërkesë në Gjykatën Kushtetuese për anulimin e vendimit të ZRRE-së, e cila në mënyrë të dhunshme nxori rreth 1300 biznese në të ashtuquajturin treg të lirë, duke rrezikuar ekonominë dhe vendet e punës në vend. Kërkuam që ky vendim të pezullohet deri në shqyrtimin e plotë nga Gjykata”, u shpreh Tahiri.











